A do ketë “luftë civile” në Angli prej Murinjos, si në Spanjë?!

Kush mund ta harrojë momentin e keq kur Zhoze Murinjo i futi gishtin në sy ndihmësit të ndjerë të Guardiolës, Tito Vilanova? Ishte koha kur në futbollin spanjoll kishte “luftë civile” mes Barçës e Realit, ndërsa një nga nxitësit kryesorë ishte pikërisht portugezi “madrilen”. Mënyra e tij e kërkimit të fitores, e armiqësimit me kundërshtarin, natyrisht krijoi tensione të mëdha mes lojtarëve të dy ekipeve, që përbënin edhe bazën e kombëtares së Spanjës. Besohet se kjo u ndje, sado që lojtarët u përpoqën ta linin mënjanë, dhe kontribuoi sado pak në rënien spanjolle pas vitit 2012.

Sot, në Angli kanë frikë se një tjetër “luftë civile” mund të ndodhë për shkak të Murinjos, lufta Junajtid-Siti. Javën e kaluar, Zhozeja trokiti në dhomën e zhveshjes së rivalëve dhe i kërkoi më shumë respekt pas fitores, duke sjellë një sherr të madh. Ish-presidenti i Realit, Ramon Kalderon, thotë se Anglia do të vuajë për shkak të Murinjos, dhe kujtoi konfliktin e trajnerit me portierin Kasijas vetëm sepse ky foli pozitivisht në telefon me kapitenin e Barçës, Ksavi. “Shpresoj që Anglia të mos vuajë, – tha ai, – shpesh trajnerët i bëjnë gjërat vetëm për interesin e tyre, dhe nuk u bëhet vonë se çfarë pasojash krijojnë”.

Sfidanti.al