Atletiko, je me fat që (ende) e ke Diego Pablo Simeonen!

Nuk është një trajner spektakolar. Nuk është i formuar ashtu. Diego Pablo Simeone, gjithsesi, është një personalitet i madh dhe Atletiko e Madridit është me shumë, shumë fat që e ka. Në 23 dhjetor mbushen 6 vjet për argjentinasin në stolin e spanjolleve, vitet padyshim më të bukura në historinë e klubit, me 5 trofe të fituara.

Eleminimi këtë sezon nga Championsi është një njollë shumë e vogël për të ndotur një karrierë të tillë dhe fitorja 1-0 ndaj Alaveshit në ligën e Spanjës tregoi se Atletiko është aty. Edhe pse me fitore të vogla, edhe pse me pak gola të shënuar, skuadra e Simeones është në vendin e dytë pas humbjes së Valencias.

Simeone vazhdon me mjeshtërinë e tij për t’i nxjerrë edhe “pikën e fundit” lojtarëve që ka në dispozicion. Këtë herë shënoi Torres, më përpara Saul, Koke apo Grizman. Të jesh trajner i Atletikos do të thotë vuajtje. “Zëvendësuesit bënë diferencën”, – ishin fjalët e tij pas fitores. Me madhështinë e një njeriu të fortë ai vendos qetësinë në dhomën e zhveshjes duke thënë thjesht “Grizman mund të largohet nëse dëshiron, kurrë nuk i them jo një lojtari që nuk dëshiron të rrijë, por dua që ata që rrinë të japin maksimumin”.

Simeone mbështetet tek portieri Oblak, tek mbrojtësi i ri i qendrës, Lukas Hernandez (“ka një të ardhme të madhe”) si dhe tek boshti i veteranëve. Këtë sezon do të synohet të fitohet Liga e Europës, ndërsa vitin tjetër sërish në Champions.

Sfidanti.al