Elbasani regjistroi një fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias, duke i mposhtur me rezultatin minimal 1-0 në një ndeshje të luftuar dhe taktike. Verdheblutë shfrytëzuan epërsinë numerike që nga fillimi i pjesës së dytë, duke kontrolluar ritmin e lojës dhe duke konkretizuar dominimin e tyre me golin e vetëm të takimit.
Momenti kyç i ndeshjes erdhi në minutat 47’-49’, kur Haime ndal me faull Lukilin në një aksion premtues, dhe gjyqtari Hamiti e ndëshkoi me karton të kuq. Pas rishikimit në VAR, vendimi u konfirmua, duke lënë Egnatian me 10 lojtarë.
Me epërsinë numerike në fushë, Elbasani shtoi presionin dhe në minutën e 66-të arriti të gjejë rrjetën. Loukili harkoi saktë drejt zonës, ku Tsague u shkëput me forcë dhe goditi me kokë, duke mposhtur portierin e Egnatias dhe duke çuar në delir tifozët elbasanas.
Në minutat e mbetura, skuadra e trajnerit të Elbasanit administroi me zgjuarsi rezultatin, duke mos lejuar rrogozhinasit të krijojnë rrezik serioz. Fitorja 1-0 është një tregues i qartë i rritjes së Elbasanit, që konfirmon formën e mirë dhe shpirtin luftarak ndaj një kundërshtari të fortë si Egnatia.
sfidanti.al

