Liverpool ofron 100 milionë për Bastonin

Interi po punon për të riformësuar mbrojtjen në prag të sesionit të ardhshëm të merkatos, por drejtuesit e klubit zikaltër do të duhet të marrin në konsideratë edhe të ardhmen e Alessandro Bastonit. Edhe pse klubi e konsideron atë të paprekshëm, kjo situatë mund të ndryshojë për shkak të interesit të bujshëm nga Anglia.

Sipas “Il Giorno”, Liverpuli i ka vënë syrin mbrojtësit italian dhe po përgatitet të paraqesë një ofertë “të frikshme”.

Klubi anglez, i cili aktualisht përballet me një krizë në prapavijë, e sheh Alessandro Bastonin si përforcimin ideal për t’i dhënë një të ardhme vijës së tyre mbrojtëse. Investimi do të ishte ndër më të mëdhenjtë në historinë e “të kuqve”. Qëllimi është t’i paraqitet një ofertë Interit, e cila, sipas “Il Giorno”, do të jetë mbi 100 milionë euro.

Aktualisht, Interi e konsideron Bastonin teknikisht të paprekshëm. Mbrojtësi ka rinovuar kontratën e tij deri më 30 qershor 2028, me një pagë prej 5.5 milionë eurosh në vit, duke e vendosur atë midis lojtarëve më të paguar në skuadër.