Partizani me 10 lojtarë fiton 2-3 ndaj Teutës

Partizani realizoi një përmbysje spektakolare në Durrës, duke mposhtur Teutën me rezultatin 2-3, në një ndeshje plot emocione, gola dhe tension. Edhe pse “të kuqtë” mbetën me 10 lojtarë në minutën e 75-të, ata treguan forcë karakteri dhe përmbysën gjithçka në mënyrë dramatike.

Teuta nisi më mirë dhe në minutën e 32-të kaloi në avantazh me një aksion të bukur nga Fadairo, i cili depërtoi nga krahu i djathtë dhe pasoi në qendër për Maçollin, që shënoi me një goditje të saktë. Vetëm tetë minuta më vonë, durrsakët dyfishuan avantazhin me një gol olimpik të Tolit, pasi harkimi i tij nga këndi përfundoi direkt në rrjetë, duke befasuar portierin Qirko.

Në pjesën e dytë nisi rikthimi i “Demave të Kuq”. Në minutën e 58-të, Kontreras ngushtoi shifrat me kokë pas një harkimi të Bytyçit, ndërsa në minutën e 66-të, i njëjti lojtar barazoi rezultatin duke përfituar nga një top i mbetur në zonë.
Në minutën e 75-të, Partizani mbeti me 10 lojtarë pasi Contreras u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, por kjo nuk i ndaloi kryeqytetasit. Në minutën e 82-të, Atanaskoski fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar të Tolit dhe Toma u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 86-të, duke përmbysur gjithçka.

Një fitore e madhe për Partizanin, që tregon forcën, shpirtin luftarak dhe karakterin e një skuadre që nuk dorëzohet asnjëherë, edhe me një lojtar më pak.

sfidanti.al