Firmino çon në finalen e Botërorit, një Liverpul me “marsh të dytë”!

Nuk mjaftoi fakti se u paraqit me ekipin e tretë në Kupën e Ligës, por u detyrua të bënte rotacion edhe në Doha. Liverpuli nuk mundi të kishte lojtarët më të mirë që nga minuta e parë, pasi të tillë si Firmino apo Mane e nisën nga stoli, gjithashtu edhe Aleksandër-Arnold. Po ashtu, edhe Virgil Van Dajk i cili u stërvit një ditë më parë, por nuk ishte në formën e duhur për të luajtur. Kjo bëri që të kuqtë e Jurgen Klopit të mos e kishin të lehtë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për klubet ndaj meksikanëve të Monterreit.

Në formacion, Klopi kishte hedhur Xherdan Shaqirin e Divok Origin, dhe anglezët hasën në një rezistencë të fortë nga kampionia e Amerikës së Veriut dhe Qendrore. Nabi Keita shënoi në minutën e 12-të për europianët, por në të 14-ën barazoi Funjes. Pas pushimit, Liverpuli e rriti ritmin, dhe Klopi krijoi treshen e sulmit Salah-Mane-Firmino. Ky i fundit realizoi golin vendimtar në minutën e parë shtesë, dhe të kuqtë do të luajnë tani finalen e madhe ndaj brazilianëve të Flamengos.

Sfidanti.al