Egnatia – Vllaznia dhe Partizani – Skënderbeu janë dy gjysmëfinalet e “Final Four” në kampionatin “Abissnet Superiore”, ku skuadrat do të luftojnë për finalen e madhe të 26 majit. Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u hodh shorti i “Final Four” i organizuar nga FSHF, ku morën pjesë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidentë e përfaqësues të klubeve të kualifikuar në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias. Për shkak se Egnatia është finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe ndeshja finale ndaj Kukësit do të luhet nesër në 19:00 është vendosur që ndeshja Partizani – Skënderbeu të zhvillohet të premten më datë 17 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00. Ndërsa gjysmëfinalja e dytë Egnatia – Vllaznia, do të luhet më datë 19 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00. Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Partizani.