FIFA përjashton Rusinë nga Botërori për shkak të luftës!

Vendimi u mor pas një presioni shumë të madh dhe “butësia” u kthye në ashpërsi. FIFA e ndryshoi pozicionin e saj dhe Rusia u përjashtua nga Kupa e Botës në Katar. Kombëtarja ruse nuk do të mund të luajë në plej ofin e marsit, fillimisht ndaj Polonisë në Moskë, e pastaj në një finale të mundshme. Polakët, ashtu si Suedia e Republika Çeke, por pastaj edhe Anglia, Uellsi me Suedinë, e kishin marrë vendimin që të mos luanin ndaj rusëve për shkak të sulmit të presidentit Putin në Ukrainë. Në pamje të parë, një qendrim i drejtë, përderisa ushtria ruse ka hyrë në tokën ukrainase, ka sulmuar qytetet e Ukrainës si Kievin, Harkivin apo Çernihivin, ndërsa ka humbje të rëndësishme në jetë, dhe dëme të mëdha materiale.

Gjithsesi, vendimi duket krejtësisht i njëanshëm nëse e krahason me atë që kanë bërë të tjerë, si p.sh. SHBA pas agresionit të përgjakshëm ndaj Irakut në vitin 2003, apo bombardimeve ndaj Hanoit të Vietnamit të Veriut në vitet 70-të. Pas pushtimit të Irakut që shkaktoi mijëra viktima civile, dhe krijoi një kaos të përgjakshëm me qindra mijë të vdekur, kombëtarja e SHBA-së u lejua pa problem të merrte pjesë në Kupën e Artë të Amerikës së Veriut ku edhe doli kampione në 2005, si dhe ishte në Kupën e Botës në 2006 në Gjermani. Pasojat ruse në Ukrainë, edhe pse të rënda, janë ku e ku më të pakta sesa ato amerikane në Irak apo Vietnam.

Sfidanti.al