Pak muaj më parë arriti një fitore të madhe në Champions, por tani gjithçka është përmbysur. Një trajner ukrainas, Juri Mikolajeviç Vernidub, njeriu që udhëhoqi Sherifin e Tiraspolit në suksesin e jashtëzakonshëm 2-1 në Madrid ndaj Realit, ka vendosur të shkojë vullnetar në luftë. Pesëdhjetegjashtëvjeçari i lindur në qytetin perëndimor ukrainas të Zhitomirit ka dalë në foto në mes të dy njerëzve të tjerë që janë regjistruar në forcat territoriale të Ukrainës, në përpjekje për t’i rezistuar invazionit rus. Nuk dihet nëse Vernidubi do të shkojë në vijën e parë të frontit, ndërsa ai nuk ka asnjë përvojë ushtarake duke qenë thjesht një trajner shumë i mirë futbolli. Gjithsesi, ai është njëri nga njerëzit ukrainas të sportit që i është përgjigjur nevojës së vendit të tij.
Boksieri i famshëm, Vasili Lomaçenko, ka vepruar menjëherë dhe është kthyer në vendin e tij. Kampioni i peshave të lehta të boksit profesionist, fillimisht ishte larguar nga Odesa për në Greqi, por pastaj vendosi të kthehej në qytet. Ai u bashkua me një batalion territorial të mbrojtjes, duke dalë edhe në foto me komandantin. Ylli i futbollit ukrainas, Andrij Jarmolenko, ndërkaq, nuk do të largohet nga detyra e tij tek Uest Hemi në Premier Ligë, por do të ndihmojë Ukrainën në formë tjetër. Mediat britanike njoftojnë se futbollisti me numrin 7 do të dhurojë 75 000 paundë stërlina, afërsisht 90 000 euro. Jarmolenko ka lindur në Rusi, por nga prindër ukrainas. Futbollistët e Uest Hemit e respektuan shokun e tyre në ndeshjen e fundjavës ndaj Uolvesit duke veshur fanelën e tij me numrin 7, në nderim të Ukrainës që ndodhet në luftë.
Sfidanti.al