Tirana drejt titullit me dominim ndaj rivalëve, dhe serinë e gjatë pozitive!

Jo më kot janë në krye. Futbollistët e Tiranës po shkojnë drejt titullit të dytë radhazi në 3 vjet, ndërsa “arma” e tyre kryesore duket se është suksesi ndaj rivalëve kryesorë. Një ekip që ka lënë pikë me Skënderbeun dhe Egnatian, e që pësoi një humbje të dyshimtë me Kastriotin në Kamzë, nuk ka falur kur ka qenë puna për kundërshtarët për titull, apo për ndeshjet derbi. Në duelet ndaj Laçit, Kukësit apo Vllaznisë, në ato ndaj Teutës kampione dhe ndaj rivalëve brenda qytetit si Partizani e Dinamo, bardhblutë kanë arritur triumfe të shumta. Plot 9 fitore, 1 barazim e vetëm 2 humbje, një në Laç e një ndaj Kukësit është bilanci i këtyre sfidave.

Po ashtu, me kalimin e javëve, skuadra e trajnerit Orges Shehi e ka rritur ritmin dhe në 9 ndeshjet e fundit ka plot 7 fitore e 1 barazim, pa llogaritur humbjen e çuditshme me krutanët. E gjitha kjo ka bërë që Tirana të krijojë distancë me rivalët, ndonëse Laçi është në 6 pikë largësi, pra ende ka shpresë. Sidoqoftë, kryeqytetasit kanë menduar sesi t’ia ulin moralin kundërshtarëve kryesorë, dhe jo më kot mundën Kukësin 4-0 e Laçin 4-1. Për më tepër, kanë gati 2 gola të shënuar për ndeshje, në një turne që tradicionalisht është “shterpë” në fazën sulmuese.

Sfidanti.al