1-2 për Partizanin ka përfunduar miqësorja e dytë ndaj azerëve të Kabalas, aq sa tregojnë futbollistët në foton e pas ndeshjes, fitore që u është lejuar ta shoqërojnë edhe me nga një birrë. Një ndeshje shumë e mirë e skuadrës së Starovës, aq më shumë që përballë kishin një kundërshtar të sapo larguar nga grupet e Europa League. Ishin “vendasit” e Kabalës që kanë shënuar të parët, pas dy rasteve të shpërdoruara të Ekuban, por menjëherë më pas është ganezi i lindur në Verona që barazon sërish rezultatin. Goli i dytë i tanëve ishte një autogol i Jamalov, por pas një ekzekutimi të Jaupajt, që bashkë me Bardhin kanë bërë paraqitje perfekte. Cetkoviç ishte ai që jemi mësuar kur kishte fanelën e Laçit, ndërkohë që edhe Bonifejs tregoi shenjat e para, megjithëse ende nuk është i gatshëm fizikisht.
Ndërkohë, po dje, edhe Skënderbeu ka mundur një tjetër skuadër nga Azerbaixhani, me rezultatin 3-1, pikërisht Sumkait, që në kampionat ndodhet në vendin e katërt, por 14 pikë poshtë Kabalës. Serinë e golave e ka hapur Salihi që në të 20 minutë, por ajo që ra në sy është përpjekja për të dhënë maksimumin nga futbollistët në provë, si Pedresku, Boakai, Karim dhe Çarls, madje këta dy të fundit plotësuan fitoren e Skënderbeut, me golat e shënuar në minutat 80 dhe 82.
Sfidanti.al