Nuk është një Bibi Shtajnhauz apo një Stefani Frapar, por gjithsesi po krijon historinë e saj. Arbitrja angleze Rebeka Uelsh u bë e para femër që drejton një ndeshje në katër ligat e para të futbollit anglez që nga fillimi deri në fund, pasi ndau drejtësinë në një ndeshje të kategorisë së tretë. Rebeka 37-vjeçare ishte në drejtim të sfidës mes Harrogejt Taunit (Harrogate) e Port Vejlit (Por Vale). Ajo kishte 3 vjet që ishte gjyqtare në ndeshjet e ligave jo profesioniste (nga e pesta e poshtë), si dhe kishte qenë kryesore në finalen e Kupës së Anglisë për femra në “Uembli”. Dy drejtuesit që caktojnë arbitrat, Majk Rajli (Riley) dhe Majk Xhons vendosën në favor të saj pasi e vlerësuan lart gjatë këtij edicioni. “Lajmin e mora vesh të shtunën dhe ende nuk kam zbritur me këmbët në tokë, – tha Rebeka duke qeshur, – jam me fat që m’u dha kjo mundësi”. Së pari, ajo është e zonja që e fitoi këtë.
Sfidanti.al