Gazetat katalanase: Dembele, një gol për titullin kampion!

Sa shumë sfida ka ky klub deri në fund të sezonit. Lionel Mesi është shqetësimi më i madh për Barcelonën, po ashtu si suksesi në fushën e lojës ku kërkohet titulli kampion dhe Kupa e Mbretit. Drejtuesit në “Kamp Nou” e nisën ndeshjen e kësaj jave ndaj Vajadolidit me një ceremoni për kapitenin që theu rekordin e Ksavi Hernandezit për numrin e ndeshjeve me fanelën “blaugrana”. Argjentinasi e vendosi rekordin me 768 sfida në stadiumin e Sociedadit ku u fitua 6-1, por ceremonia në shtëpi mundi të bëhej vetëm tani.

Mesi nuk mundi të shkëlqente aq shumë në ndeshjen e tij numër 769 për Barcelonën, por gjithsesi, rëndësi pati fitorja. U desh edhe fati, besohet edhe ndihma e gjyqtarit për t’ia dalë, e megjithatë kur polemikat të përfundojnë, fakti mbetet që katalanasit janë vetëm 1 pikë prapa Atletikos së Madridit që kryeson La Ligën. Vajadolidi pretendoi penallti për prekje të topit me dorë nga Zhordi Alba, por sidomos protestoi ashpër për kartonin e kuq ndaj Oskar Planos, i cili normalisht duhej të kishte qenë i verdhë.

“Kjo paraqitje ishte shumë larg nivelit tonë normal, – pranoi trajneri Ronald Kuman, – sidomos në pjesën e parë ne sikur nuk ishim fare në fushë. Nuk bëmë presion, ishim të ngadalshëm, dhe të lodhur që nga fillimi. Ndryshuam sistemin pas pushimit dhe fituam. Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne patëm edhe fat. Vlerësoj shumë lojën e Vajadolidit, por djemtë treguan se kanë vullnet për të fituar edhe kur nuk janë mirë”.

Gazetat në Katalonjë nuk u morën shumë me padrejtësitë ndaj Vajadolidit, sepse ishin shumë të lumtura me fitoren. “El Mundo Deportivo” dhe “Sport” theksuan se Dembele shënoi atë që mund të jetë goli për titullin, ndërsa treguan se Mesi u tha shokëve në pushim se ndeshja duhej fituar me patjetër, në çdo lloj mënyre. Suksesi sidoqoftë bën që Barcelona të ngjitet në vendin e dytë në kampionat me 64 pikë ndaj 65 të Atletikos që humbi këtë javë 0-1 në fushën e Seviljes.

Sfidanti.al