Eshtë vërtetë e dhimbshme të shohësh, se si në Federatën Shqiptare të Futbollit e kanë kufizuar aq shumë misionin e institucionit, saqë të krijohet përshtypja sikur e kanë kthyer në një ndërmarrje bisnesi. Në atë seli, duket se prej kohësh nuk ngjall interes asgjë tjetër, përveçse të bëjnë tregëti me futbollin. Pothuajse në çdo javë që mblidhet Komisioni i Disiplinës ka gjoba për klube, apo futbollistë të veçantë, madje kanë gjetur edhe formulës se si mund t’i vjelin brutalisht. Në rolin e taksidarëve, shefat i mbajnë paratë nga e drejta televizive. Por jo gjithçka përfundon këtu. Ndërkohë që janë luajtur vetëm tetë javë, 50% e stadiumeve janë mbyllur të paktën një herë për tifozët, pikërisht nga vendimet e po këtij Komisioni. Skënderbeu është dënuar 5 ndeshje, Partizani 4, Kastrioti 1, Kamza e filloi sezonin me një dënim të mbartur nga i kaluari, ndërsa së fundi mbyllet edhe stadiumi i Gjirokastrës. Ndërsa për dënimet e gjata është shpikur një tjetër marifet për të përfituar. Klubet mund ta blejnë gjysmën e dënimit në sportelet e FSHF-së, siç bënë korçarët dhe Partizani.
Ajo që duhet përmendur është, se për shumë faktorë, duke përfshirë cilësinë dhe nivelin e pastërtisë së aktivitetit, vihet re një braktisje masive e tifozëve të shkallëve të stadiumeve, si një lloj bojkoti për këtë produkt, që herë herë të krijon përshtypjen, sikur mbahet në klëmbë për hir të një publiciteti të shfrenuar. Duhet pritur për një derbi Tirana – Partizani, për të shijuar vërshimin e tifozëve në rrugë dhe kjo për shkak se historia e këtyre përballjeve, të cilat janë kthyer në pigment për t’i dhënë nuancë grisë së futbollit të tanishëm… Por kjo vetëm për 90 minuta, më pas kthehemi sërish tek shkallët bosh. Në fakt, për ata që drejtojnë futbollin në vend, mungesa e tifozëve as që bën efekt, madje ka shumë mundësi t’u interesojë. Kësaj situate i shtohen edhe dënimet e shpeshta të impiantëve, pasi kur ato janë të boshatisura mund të bësh çfarë të duash, pa pasur frikë për reagime të ashpra. Kështu mund të emërohen edhe kampionë, pa nevojën e ndonjë gare të vërtetë. Pra zbrazëtia e stadiumve është parashikuar në planet e bisnesit.