Ajo që ne e quajme Kombëtare të futbollit, që presupozohet që duhet të përfaqësojë një komb të tërë, duket se është kthyer në një fasadë që e lyejnë herë pas here për të shkëlqyer nga jashtë. Përpara eleminatoreve të Ligës së Kombeve, na thanë me siguri që ne do të synojmë vendin e parë në grupin që na u cungua, për shkak se rusët na kanë dhënë një assist, pasi janë të zënë me luftën në Ukrainë. Islanda na u duk asgjë, Izraeli më keq, ndërsa tani bëjmë llogari me “sikur”. Në Rejkiavik luajtëm vetëm nje gjysëm loje dhe morrëm një pikë. Kundër Izraelit bëmë aq pak, sa na mundi një Solomon, për të cilin tani shfaqësohemi, duke e konsideruar një talent të jashtëzakonshëm të futbollit botëror. Për ironi të fatit, ky zotëria 22 vjeçar është futbollist i Shaktar Doneskut në Ukrainë dhe prej kohësh nuk luan në fushë, por vetëm në kompjuterin e tij, gjë që nuk e pengoi ta mundëte trajnerin tonë, i cili ka ende një bazoreliev në metronë e Napolit.
Në fakt ndeshja ndaj Izraelit ishte një katastrofë për nga logjika e funksionimit të një skuadre që do të fitojë me çdo kusht, qoftë për faktin e thjeshtë se e kishte konsideruar veten favorite. Trajneri Reja, pas golit të barazimit të miqëve, thirri në stol Bajramin dhe Asllanin dhe me Ramadanin e Gjasulën e bëri skuadrën me 7 mbrojtës, gjë që të jep përshtypjen se i pëlqen pika dhe jo fitorja. Ndërsa pasi pësoi golin e dytë hodhi në fushë të gjithë sulmuesit që i pa syri në stol. Kurse skuadra u shthur dhimbshëm, aq sa na mbeti në mendje një Solomon, si të na kishte mbërritur nga koha e Krishtit.
Ndërkohë që miqësorja e djeshme ndaj Estonisë, sipas trajnerit tonë 70 e kusur vjeçar, ishte konceptuar për të provuar disa të futbollistë të rinj, madje për këtë ide novatore pati edhe një jehonë admiruese nga mediat, aq sa u kthye në një thirrje për ta harruar fitoren hebreje të Tiranës. Dhe në fund, përballë një skuadre të klasifikuar dy kategori më poshtë se ne në Ligën e Kombeve, bëmë një paraqitje ordinere. Ndërsa Edit të Kombëtares i shkoi mendja të shpëtonte veten, duke dërguar në fushë Brojën, Uzunin, Abrashin, apo edhe ndonjë tjetër, që më parë kishte menduar se nuk do t’i duheshin ndaj modestëve nga Balltiku… Por askush nuk na ndihmoi, pasi futbolli duhet të luhet pastër, nëse pretendon se mund të të japë kënaqësi.