Beshiktash shton presionin për Ernest Muçin

Për fat të keq, Ernest Muçi u ndal në momentin e tij më magjik, por ky fakt nuk e largon yllin kuqezi nga tregu i transferimeve, përkundrazi, për Muçin vijon të flitet fuqishëm në Turqi kjo pasi në mes është edhe një kontratë e gjitha për t’u vendosur. Sulmuesi kuqezi u transferua këtë sezon te Trabzonspor në formë huazimi, por me të drejtë blerje për 8,5 milionë euro, por me sa duket ekipi i Trabzonspor po heziton për të paguar. Nëse dëshirojnë kartonin e tij, brenda datës 10 maj duhet të aktivizojnë këtë të drejtë, pra të paguajnë shumë e vendosur në kontratë. Pikërisht te ky detaj u ndal edhe presidenti i Beshiktash, Serdal Adali, me këtë të fundit që shpreson që klubi i Trabzonspor të mos paguajë në mënyrë që sulmuesi shqiptar të rikthehet në Stamboll:

“Disa nga lojtarët që dërguam në huazim do të largohen. Opsioni për blerjen e kartonit të Ernest Muçit vlen deri më 10 maj. Shpresoj, që nuk do të shfrytëzohen opsionet për blerjen e kartonit. Është shumë e vështirë që të blesh një lojtar për aq para. Ne nuk kemi diskutuar zbritje”, u shpreh presidenti i Beshiktash në një prononcim për mediat në Turqi.