Pas kualifikimit të djeshëm, Partizani ka të sigurta si bonus nga UEFA shumën e 1 milion e 560 mijë eurove. Kjo shifër shkon në arkën e klubit të kuq vetëm për pjesëmarrjen në raundin “play off”.
Më konkretisht, për rrugën që ka bërë deri më tani në Europë dhe kalimin e turit pas triumfit ndaj Valmierës, Partizani merr 260 mijë euro nga UEFA si klub kampion i Shqipërisë, 100 mijë euro nga pjesëmarrja në turin e parë të Ligës së Kampioneve, 250 mijë euro nga turi i dytë i Ligës së Konferencës, 200 mijë euro nga turi i tretë, si dhe 750 mijë euro nga pjesëmarrja në fazën “play off”. Të gjitha këto shifra në total shkojnë 1 milion e 560 mijë eurove. Mirëpo, me pjesëmarrjen në “play off” ëndrra vazhdon dhe në rast se Partizani pas dy ndeshjeve në këtë raund arrin të kualifikohet ndaj Astanës dhe të shkojë në fazën e grupeve, atëherë në arkën e klubit do të shkojë shifra rekord: 3 milionë e 490 mijë euro. Një shans i artë për “demat”.
sfidanti.al