Zvicra e nis në mënyrën më të mirë të mundshme Europianin Gjermani 2024, me skuadrën helvete që fitoi 1-3 ndaj Hungarisë, takim i vlefshëm për Grupin A që u luajt në Koln. Zvicra diktoi ritmin në pjesën e parë dhe jo vetëm, me skuadrën e drejtuar nga Murat Yakin që kaloi shumë shpejtë në avantazh, pas 12 minutash lojë me anë të Duah, që i vetëm përballë Gulacsi nuk gaboi dhe çoi në rrjetë pasimin e Aebischer. Ky i fundit ishte protagonist absolut edhe në minutën e fundit të kohës së rregullt në pjesën e parë, me mesfushorin e Bologna-s që realizoi edhe golin e dytë për Zvicrën, me 27-vjeçarin që shënoi një gol shumë të bukur. 0-2 dhe kështu u mbyll pjesa e parë, teksa në fraksionin e dytë hungarezët ndryshuan kurs, duke përmirësuar e ndryshuar ritmin e ndeshjes.
Euro 2024, Zvicra e nis me fitore
Në minutën e 66 Varga ngushtoi rezultatin, me 29-vjeçarin që përfitoi në maksimum nga pasiguria e mbrojtjes “helvete” dhe duke ndalur në rrjetë krosimin e Szoboszlait. Por, pavarësisht dëshirës dhe volumit, Hungaria nuk ia doli të evitonte humbjen, teksa në krahun tjetër Zvicra realizoi edhe golin e tretë në minutën e tretë të shtesës, me Embolo që gjeti rrjetën pas një kaosi në prapavijën e skuadrës së Rossi-t. Zvicra e nis mbarë Europianin dhe tani ngjitet në krye të Grupit A së bashku me Gjermaninë dhe në krahun tjetër Hungaria pozicionohet në vendin e tretë, por pa pikë ashtu si Skocia.
sfidanti.al