Ëndrra duket se po mbaron, Teuta në telashe të vërteta

Takimi i 3-të i së martës dhe i luajtur në mbrëmje dhe që uli siparin e javës së 14-të të Kategorisë Superiore, ishte ai që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, midis Teutës dhe Vllaznisë ku shkodranët triumfuan 1-0. Përballja nisi mjaft mirë për skuadrën mike, e cila, pasi ka rrezikuar që në fillim me një goditje të Bekim Balajt në kufinjtë e zonës, ka vijuar të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 4-t, me anë të ish-lojtarit të Teutës, Ildi Grudës, që fitoi duelin e shpejtësisë me mbrojtjen dhe portierin vendas, duke e kaluar Vllazninë në epërsi për një sukses shumë të rëndësishëm që rikthen qetësinë në Shkodër por nxjerr në pah problemet e mëdha të Teutës. Trajneri Edi Martini këtë herë duket i pafuqishëm për t’u dhënë zgjidhje problemeve të skuadrës durrsake që sot është zhytur në fundin e klasifikimit dhe tashmë duket të luftojë shumë për të dalë nga telashet. Në 33 vite që pas rrëzimit të murit komunist, Teuta nuk është rrëzuar asnjëherë në Kategorinë e Parë dhe është skuadra e vetme nga 10 aktualet që e mban këtë rekord por nëse vijin në këtë rrugë, atëherë misioni mbijetesë mund të bëhet i pamundur.

sfidanti.al