Skuadra e Egnatias ka thuajse të sigurt vendin e parë në renditjen e Superiores dhe i mjafton të paktën një pikë ndaj Teutës, apo që Vllaznia të mos fitojë ndaj Laçit, që të mbyllë diskutimin sa i përket këtij pozicioni.
Kjo do të çonte në arkat e rrogozhinasve 100 milionat që përfiton si vendi i parë i sezonit të rregullt, një bonus i rëndësishëm financiar për klubin që të përforcojë ekipin për edicionin e ardhshëm. Por njëkohësisht, rrogozhinasit luajnë edhe për të vendosur rekorde të reja sa i përket pranisë së tyre në elitën e futbollit shqiptar. Ata nuk mund të arrijnë rekordin e pikëve që vendosën vjet, 63 të tilla, pasi edhe në rast të një fitoreje ndaj Teutës, do të ndaleshin në kuotën e 62 të tillave. Egnatia është në kuotën e 16 fitoreve dhe nuk mund të arrijë gjithashtu as numrin 18 të sezonit të rregullt të kaluar. Por rrogozhinasit mund të regjistrojnë sezonin me më pak humbje në elitë, ku për momentin janë ndalur në 8 të tilla, kundrejt 9 që regjistruan një vit më parë. Në rastin më të keq, do të barazojnë rekordin e tyre, ndërsa në të kundërt, do të vendosin një të ri.
Njëkohësisht, një rekord i ri, përtej ndonjë çudie, do të jetë ai i numri më të vogël të golave të pësuar nga ekipi i Edlir Tetovës. Një vit më parë, kur edhe fituan titullin kampion, rrogozhinasit pësuan në total 38 gola, por rekordin e kanë 32 të pësuar në sezonin 2022-2023. Para ndeshjes së fundit, Egnatia ka pësuar vetëm 28, me një ndryshim të ndjeshëm në krahasim me një vit më parë. Sa u përket golave të shënuar, Egnatia është në kuotën 46, ndërsa një vit më parë regjistroi 51 të tillë, ndaj do ta ketë paksa të vështirë të arrijë apo thyejë atë rekord për ekipin që po bën ligjin në futbollin shqiptar në këto vite.
sfidanti.al