Edhe Liverpuli? Kush nuk paska qenë pranë Kristiano Ronaldos në 2003?!

Historia që njohim, ajo e vërtetuara, është që një nga numrat 7 më të shquar të historisë së futbollit, në mos më i shquari, kaloi në verën e vitit 2003 nga Sportingu i Lisbonës tek Mançester Junajtidi për rreth 19 milionë euro. Pak ditë më parë, presidenti i Lionit, Olas, deklaroi se klubi francez kishte qenë pranë nënshkrimit me portugezin, që në atë kohë ishte 18 vjeç. Më pas doli Arsen Vengeri që zbuloi se ai kishte prenotuar marrjen e Ronaldos, madje i kishte dhënë edhe fanelën e Arsenalit, por ja që nuk i doli. Së fundmi, ish-ylli i Liverpulit, Fil Tompson, thotë se Zherar Hulje (trajneri të kuqve në atë kohë) ishte shumë pranë “rrëmbimit” të CR7-tës për vetëm 4 milionë paundë stërlina, pra jo më shumë se 6 milionë euro. “Hulje thuajse e këputi këmbën e tij duke e goditur, kur lajmi për transferimin e Kristianos tek Mançester Junajtidi doli në televizion”, – tha ai. Mesa kuptohet Sër Aleksi ua paska hedhur të gjithëve, për shkak të emrit të tij të madh dhe aureolës që kishte në atë kohë Mançester Junajtidi.

Sfidanti.al