Dyshimet e De Biazit dhe mrekullia tek e cila ai nuk beson!

I ndërgjegjshëm, realist dhe pse jo, optimist. i tillë ishte trajneri i Shqipërisë në konferencën për shtyp në Palermo. Këtë herë, përballë tij ishin dhjetëra gazetarë italianë, ashtu si në kohët kur drejtonte Torinon apo Modenën dhe pyetjet ishin të gjitha për zgjedhjet e tij të formacionit dhe për lojën që do të zhvillonte. “Kam 3-4 dyshime që do t’i zgjidh në momentet e fundit, – tha ai, – bëhet fjalë për lojtarë të ngjashëm, por dilemat mbeten”.

Në mbrojtje dhe me kundërsulm? “I keni rënë pikës, – vazhdon ai, – kjo është logjike apo jo? Vlerën e kundërshtarit që kemi përballë e njihni ju më shumë se unë, për më tepër nuk jemi në kushtet më të mira për të zgjedhur në organikën që na dërgoi në Europian”. Nuk pret mrekulli De Biazi, por pret që ekipi shqiptar të luajë qetë dhe të qarkullojë topin, si dhe të zbatojë detyrat.

De Biazi nuk ka dyshim se do të jetë me mendje dhe me zemër me Shqipërinë, me skuadrën e tij. “Trajneri bëhet tifoz me atë për të cilin punon, – tha ai, – në Shqipëri kam kohë dhe ia kam shpërblyer me punë serioze. Në fushë secili hyn për të fituar, por kur të ekzekutohen dy himnet, do të jetë shumë emocionuese”. Emocionues edhe fakti se në stadium do të ketë mjaft arbëreshë. “E veçantë, – thotë De Biazi, – kam qenë në Piana Degli Albanesi (Fushën e Shqiptarëve)”.

Palermo nuk është një qytet çfarëdo për De Biazin, sigurisht jo thjesht vendi ku Shqipëria do të luajë ndaj Italisë. Ai ka qenë futbollist me “rozanerët”, 30 vjet më parë, ndërsa atëherë ndodhi edhe skandali i trukimeve, ku ai nuk ishte i përfshirë dhe ku u dënua me 1 muaj sepse nuk tregoi për shokët.

Sfidanti.al