Xhejdën Sanço nuk u largua këtë verë nga Borusia e Dortmundit, por gjermanët e dinë se nuk do ta mbajnë dot gjatë. Supertalenti 19-vjeçar pritet të largohet verën e ardhshme, me Mançester Sitin e Mançester Junajtidin që duket se kanë filluar një derbi që një vit më parë. Për dy klubet gjigande angleze do të duhet të thyhet rekordi i transferimeve të Bundesligës për t’ia arritur qëllimit.
Gazetat lajmërojnë se Dortmundi kërkon mbi 110 milionë euro për kartonin e sulmuesit anglez. Junajtidi duket se ishte klubi që e kërkoi talentin këto javë, dhe drejtuesit e “djajve të kuq” besojnë se janë në avantazh ndaj rivalëve, edhe pse Borusia e mori Sançon pikërisht nga Siti. Në kontratën e transferimit, në 2017, është një klauzolë sipas së cilës Siti duhet të informohet për çdo lëvizje. Gjermanët shpenzuan vetëm 8 milionë euro për adoleshentin dhe do të arrijnë një fitim të stërmadh, ndërsa që tani po shohin për një zëvendësues. Rekordin e transferimeve të Bundesligës e mban Bajerni që shpenzoi 80 milionë euro për Lukas Hernandezin e Atletikos së Madridit.
Sfidanti.al