Duhej të kalonin 11 vjet që Barcelona të provonte ta niste sezonin e ri të kampionatit me humbje. Kjo “arritje” i takoi pikërisht trajnerit Ernesto Valverde, por gjithsesi nuk do të thotë se humbja e ndeshjes së parë do të thotë edicioni i dështuar. Në të kundërt! Kur ngjau për herë të fundit, u pasua nga viti sportiv më i shkëlqyer në historinë e klubit, pasi në 2008-2009, katalanasit fituan çdo trofe të madh. La Ligën, Championsin, Kupën e Mbretit, Superkupën e Europës, Superkupën e Spanjës dhe pastaj Kupën e Botës për klubet.
Gjithsesi, fati i këtij sezoni duket i paqartë. Dembele është ende një “kryevepër e papërfunduar”, Suarez është pranë moshës së rrezikshme, Grizman shqetëson sepse nuk është as lojtar krahu dhe as qendërsulmues tipik, ndërsa rolin e tij si sulmues i dytë e ka zënë Lionel Mesi. Nëse vjen edhe Nejmari, atëherë Valverde duhet të luajë si Luis Enrike në 2015, por për këtë duhet një mesfushë e fuqishme. Në 2015, Iniesta, Rakitiç dhe Buskets ishin 4 vjet më të rinj, ndërsa tani ka ardhur vetëm De Jongu që duhet të përshtatet. Shumë pikëpyetje për të arritur atë që bëri Guardiola në 2009 dhe Luis Enrike në 2015.
Sfidanti.al