Të dielën, në duelin kundër Leçes, u përball me Ylber Ramadanin dhe Medon Berishën, ndërsa mbrëmjen e nesërme do të ketë një tjetër derbi mes Kristjan Asllanit dhe Berat Gjimshitit. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është një nga titullarët e pazëvendësueshëm për bergamaskët dhe lojtarët më të përdorur nga trajneri Xhanpiero Gasperini në të paktën 3 sezonet e fundit. Kështu që vështirë se për duelin me milanezët Atalanta do të bëjë pa të. Nga ana tjetër, Asllani duket mëse i sigurt për të dytën radhazi si titullar, në të cilën do të sfidojë kapitenin kuqezi, me të cilin pak muaj më vonë do të jenë përkrah njëri-tjetrit për të ëndërruar një mrekulli në Europianin e Gjermanisë. Gjimshiti ka luajtur 24 ndeshje në këtë sezon me Atalantën duke qenë titullar në të gjitha përballjet dhe ka bërë paraqitje shumë pozitive. Nga ana tjetër, Interi kërkon të vrasë kampionatin me Asllanin në kabinën e regjisë në atë përballje, ndërsa Atalanta me tri pikë të mundshme mund të ngjitet në zonën Champions, përpara Bolonjës.
sfidanti.al