Dominon Spanja, Selta në çerekfinale europiane pas 16 vjetësh

Nuk mjaftuan tri skuadra në tetë më të mirat e Championsit. Spanja do të kërkojë sërish edhe Ligën e Europës, ndonëse  nderin e saj aty e mbron vetëm Selta. Skuadra e Vigos, gjithsesi, hyri në çerekfinale “nga porta e madhe” (siç shkruajnë mediat e Madridit) duke triumfuar 2-0 në fushën e Krasnodarit. Hugo Majo dhe Iago Aspas shënuan dy gola pas pushimit dhe Selta arriti në këtë nivel për herë të katërt, dhe pas 16 vjetësh.

Ishte një kualifikim i merituar pasi spanjollët luajtën më mirë edhe pse patën përballë një skuadër të fortë, në Rusinë e largët, rreth 4 000 km larg shtëpisë. Në vendin nga ku kanë dalë lojtarë si Karpin apo Mostovoi, heronjtë ishin të tjerë.

Nga “porta e madhe” hynë në Europë edhe Beshiktashi apo Ajaksi. Turqit triumfuan 4-1 në Stamboll ndaj Olimpiakosit me gola të shënuar nga Abubakar, Babel, sërish Babel dhe Xhenk Tosun. Përballuan daljen me të kuqe të Abubakarit në minutën e 39-të, pak kohë pasi Eljunusi shkurtoi shifrat përkohësisht në 1-2 për grekët.

Ajaksi mundi 2-0 FC Kopenhagenin me rrjeta realizuar në pjesën e parë nga Traore dhe Dolberg me penallti, ndërsa derbin belg e fitoi Genku që barazoi 1-1 në fushën e vet me Gentin, pas suksesit të thellë në ndeshjen e parë.

Sfidanti.al