Ishte një zbulim te Vllaznia, por edhe në kampionat gjatë edicionit 2024-‘25. Fjala është për Kevin Dodajn, sulmuesin e Vllaznisë, që u shndërrua në një nga protagonistët e kuqebluve. 19-vjeçari arriti të tregonte vlerat e tij javë pas jave në kampionat, duke merituar pastaj edhe ftesat e vazhdueshme të kombëtares U-21 të Shqipërisë. Edhe statistikat ishin domethënëse për një futbollist, i cili luajti sezonin e tij të parë si profesionist. Me numrin “22” që arriti të gjente edhe 6 herë golin në Superiore, ku më mirë se ai te Vllaznia bënë vetëm Balaj me 19 gola dhe Mala me 7 gola. Por, Dodaj, pavarësisht se ndoshta ka shënuar më pak se dyshja e sipërpërmendur, ai është futbollisti më i shtrenjtë i kuqebluve dhe po ashtu futbollisti i tretë më i shtrenjtë i Superiores. Me një shifër që kap vlerën e 500 mijë eurove në treg, Dodaj lë pas gjithë shokët e tij të skuadrës. Ku në kampionat vetëm Peter Itodo me një vlerë prej 800 mijë eurosh dhe Baton Zabërgja me një vlerë prej 700 mijë eurosh qëndrojnë para sulmuesit të Vllaznisë.
Patjetër, te kuqeblutë “fërkojnë” duart edhe për ndonjë ofertë të majme, që mund të vijë për shitjen e mundshme të sulmuesit. Ku duhet kujtuar se Dodaj kishte oferta të shumta për transferimin jashtë vendit në merkaton e janarit. Por, ai vendosi që të mbyllte edicionin me kuqeblutë dhe të mendonte për një lëvizje të mundshme në merkatom verore. Tashmë, gjatë këtyre 3 muajve mund të ketë zhvillime të shumta për sa i përket së ardhmes së 19-vjeçarit, që është një futbollist me potencial konkret për një transferim jashtë vendit.
sfidanti.al