Pas gjobës dhe masave disiplinore që FIFA i vendosi Federatës Shqiptare të Futbollit për sjelljen diskriminuese të disa tifozëve shqiptarë në ndeshjen kualifikuese për Botërorin ndaj Andorrës, FSHF-ja ka zhvilluar negociata intensive me qeverinë botërore të futbollit për mënyrën e zbatimit të vendimit dhe lehtësimin e masave të stadiumit. Burime për “Panorama Sport”, bëjnë me dije se FIFA i ka dhënë dritën jeshile FSHF-së për të vendosur përsëri tifozë në tribunat pas porte për ndeshjen e madhe Shqipëri-Serbi më 7 qershor. Kjo pas përgatitjes së një plani të përmirësuar kundër diskriminimit dhe angazhimit të FSHF-së për të parandaluar çdo sjellje të papranueshme. Sipas marrëveshjes, tribunat që ishin parashikuar për mbyllje 20% do të mbushen me një përzierje të grupeve të komunitetit dhe organizatave kundër diskriminimit, si dhe tifozëve tradicionalë shqiptarë, duke siguruar një ambient ku mbështetja për Kombëtaren shoqërohet me mesazhe të forta kundër diskriminimit.
sfidanti.al