Dalja e parë përpara gazetarëve e trajnerit të Kombëtares, për një konferencë zyrtare për shtyp, na prezantoi një njeri karizmatik, me një buzëqeshje të ëmbël të stampuar në fytyrë, si dhe shumë tolerant ndaj ngacmimeve të gazetarëve. Dhe në fakt kjo ishte një fotokopje e ditëve të para të të gjithë paraardhësve të tij, në krye të pankinës tonë. Veç të tjerash, Silvinjo u tregua edhe shumë mirënjohës ndaj atyre që e kishin përzgjedhur për të na drejtuar Kombëtares, që pavarësisht se u drejtohej në shumës, dihet që është vetëm një. Ndërsa më të rëndësishmen, vështirësitë e grumbullimit, i dribloi me delikatesë, si një brazilian i vërtetë.
Trajneri 48 vjeçar do ta fillojë aventurën e tij në krye të Shqipërisë me një transfertë shumë të vështirë në Varshavë dhe nëse objektivat janë të sinqerta, për një kualifikim në fazën finale të Europianit të ardhshëm, atëherë lista e të përzgjedhurve tregon se problemet tona janë shumë më të mëdha se entuziazmi i ambjentit. Duke filluar që nga porta, ku Berisha dhe Strakosha nuk aktivizohen më me klubet e tyre, por që për Silvinjon një gjë e tillë nuk është një “tragjedi”, pasi ata mbeten pjesë shumë e rëndësishme e Kombëtares. Ndërkohë, disa futbollistë do të debutojnë me uniformën e Kombëtares, ashtu si edhe trajneri, por gjithsesi kjo tingëllon si e natyrshme dhe dikur do të ndodhte.
Por, me buzëqeshjen e tij të çiltër, trajneri brazilian me pasaportë spanjolle dhe që kishte jetuar pothuajse në gjysmën e kontinentit, injoroi edhe faktin që Federata nuk i gjeti një ndeshje miqësore, në prag të përballjes me Levandovskin dhe shokët e tij. Sipas Silvinjos, kjo javë stërvitore në Tiranë do të jetë shumë e rëndësishme për të përcaktuar formacionin titullar dhe modulin e lojës. Pra ky ishte prezantimi, me shumë buzëqeshje, por edhe me detyrën e vështirë, për ta ruajtur të njëjtën strukturë të fytyrës edhe pas prezantimit të fushë ndaj Polonisë.