Erjon Hoxhallari vazhdon të mbetet një nga emrat më të nxehtë në merkaton e Dinamos. Klubi kryeqytetas është në kërkim të përforcimeve me eksperiencë për sezonin e ri dhe mbrojtësi i majtë konsiderohet si profili ideal për të rritur konkurrencën në skuadër. Pas aventurës së tij në Poloni, 30- vjeçari shihet si një lojtar që mund t’i japë menjëherë cilësi, stabilitet dhe eksperiencë grupit të Ilir Dajës, sidomos në prag të angazhimeve europiane. Drejtuesit e Dinamos kanë kohë që po punojnë për këtë operacion dhe optimizmi brenda klubit mbetet i lartë. Megjithatë, pavarësisht dëshirës për ta afruar sa më shpejt futbollistin, ende nuk ka një marrëveshje të finalizuar, pasi situata e tij kontraktuale nuk është mbyllur plotësisht.
Dinamo po pret që Hoxhallari të mbetet zyrtarisht i lirë në treg pas skadimit të kontratës së tij në fund të muajit qershor. Vetëm pas këtij momenti pritet të ketë zhvillime më konkrete sa i përket të ardhmes së mbrojtësit, i cili vazhdon të vlerësojë opsionet që ka përpara. Mes palëve ka pasur kontakte të vazhdueshme dhe një mirëkuptim paraprak për një bashkëpunim të mundshëm, çka ka bërë që drejtuesit blu të jenë të bindur se kanë hedhur baza të forta për transferimin.

