Pas disfatës ndaj Bylis, Dinamo është rikthyer te suksesi, teksa këtë të dielë fitoi 3-1 ndaj Elbasanit në “Elbasan Arena”. Në fillim, skuadra nga Elbasani provoi të zgjidhë ndeshjen duke befasuar nga larg. Kasa tentoi nga distanca në minutën e 18-të, duke vendosur kështu në vështirësi portierin Teqja. Në minutën e 29-të, dinamovitët shfaqen rrezikshëm në zonën e kundërshtarit me anë të Itodo Mandela, por të besuarit e Gvozdenovic janë të vëmendshëm, duke mbyllur gjithçka. Për të ardhur te goli, në minutën e 40-të, portieri Abalora nuk kuptohet si duhet me Lulaj, duke i dhuruar kështu avantazhin Dinamos. Në minutën e 60-të, Zabërgja tregon klasin e tij duke dyfishuar shifrat. Një lëvizje e bukur prej tij, e më pas goditja nga një pozicion mjaft i vështirë. Në minutën e 63-të, verdheblutë rifuten në lojë, pas golit të Tsague. Spektakli nuk kishte fund, pasi Itodo në të 65-tën, shfrytëzon në maksimum një gabim të Elbasanit në prapavijë. Me këtë fitore, Dinamo është në vendin e dytë me 37 pikë. Elbasanit të vendit të pestë, i duhet shumë punë për të kapur top-katërshen.
sfidanti.al