Talenti, puna e madhe në grup, harmonia, fati dhe inercia, të gjithë kishin ndikuar që Milani të sfidonte çdo parashikim e të kthehej në një habi të bukur të Serisë A, pse jo edhe të Europës. Tashmë, faktorë të tjerë po ndikojnë dhe skuadra e trajnerit Stefano Pioli po mbetet gjithnjë e më prapa Interit kryesues, madje rrezikon të kalohet edhe nga Juventusi e të kërcënohet në objektivin kryesor e të detyrueshëm të sezonit, kualifikimin në Champions.
Ndaj Napolit në “San Siro” përfundoi 0-1, ku goli i Politanos dhe drejtimi nga stoli i “djalit të shtëpisë” Xhenaro Gatuzo i dënuan kuqezinjtë me një humbje të rëndë. U ndjenë padyshim edhe mungesat, mbi të gjitha ajo e Zllatan Ibrahimoviçit që shënoi 2 gola në ndeshjen e fazës së parë në stadiumin “Maradona. Ndikoi edhe lodhja e ndeshjes së fortë dhe shumë të mirë të së enjtes në Ligën e Europës, barazuar 1-1 në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit. Milani i sotëm nuk e ka potencialin për të përballuar ndeshjen kaq të forta dhe afër e afër.
Trajneri Pioli u detyrua të pranonte se “është e qartë që Interi po marshon shumë fort që pas eleminimit nga kupat e Europës, ndërsa Liga e Europës është më e lodhshme se Championsi përsa i përket kohës për t’u rikuperuar”. “Ne patëm ekip të mirë, luajtëm mirë, por patëm përballë një ekip shumë cilëso, – vazhdoi ai, – nuk ishte e lehtë pas ndeshjeve të forta me Veronën dhe Junajtidin”. Ekipi lombard mbeti në 56 pikë në 27 ndeshje, ndërsa Interi ka 65 në të njëjtin numër sfidash të luajtura. Juventusi ka 55 pikë me një ndeshje më pak, ndërsa Atalanta ka 52, Napoli e Roma nga 50. Pra, rreziku është pranë.
Sfidanti.al