Dhunën në fushat e futbollit, shqiptarët e kanë në menu

Kush mendon që dhunë ka vetëm në Superioren tonë gabohet, Kudo luajnë shqiptarët, fushat e futbollit janë i “kuti shkrepse”, ato mund të ndizen e fiken papritur. Rasti i fundit është regjistruar në Kosovë ku arbitri është bërë për spital.

Takimi i Ligës së Tretë, Istogu 03-Arbanasi ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme. Sipas “indeksonline”, fajet për këtë i kishte skuadra mysafire e cila kërkonte penallti me arsyetimin se kishte hyrë në fushë një futbollist i skuadrës vendase pa urdhërin e gjyqtarit. Po sipas portalit të mësipërm, arbitrimi i Diamant Hotit meritonte notën më të lartë duke qenë në nivel të lartë për 90 minuta. Me rezultatin 3-2 për Istogun 03 dhe kur kishin mbetur edhe pak sekonda deri në fund të ndeshjes, lojtarët e Arbanasit vepruan turpshëm duke sulmuar gjyqtarin që s’kishte bërë asnjë gabim në drejtim, Diamant Hotin.

Policia u detyrua të ndërhyjë në fushën e blertë ku edhe arrestoi futbollistin që grushtoi gjyqtarin. Pavarësisht sulmit, Hoti s’u zmbraps dhe vazhdonte nxjerrjen e kartonëve të kuq për lojtarët e Arbanasit që e sulmonin atë në të gjitha mënyrat.

sfidanti.al