Nga Danimarka, në Spanjë dhe më pas në Itali. Karriera eci si jo më mirë, por ngecjet ishin njëra pas tjetrës. Çfarë ka ndodhur me Riza Dyrmishin (apo Durmishin), lojtarin danez me origjinë shqiptare të Lacios? Vetë mbrojtësi i krahut tregon se ka guxuar më shumë sesa duhet, duke përdorur qetësues dhe injeksione ndaj dëmtimeve që e kanë penguar.
“Një herë u rrëzova para shtëpisë dhe mirë që ishte aty babai im, – tregon ai për mediat daneze, – kjo, pasi bëra injeksione në gju, që të luaja për kombëtaren e Danimarkës, ndërsa kur u ktheva në shtëpi u bllokova fare”. Dyrmishi thotë se viti 2018 ishte më i keqi i karrierës, ndonëse u kualifikua për në Ligën e Europës me Betisin, shënoi gol në derbin ndaj Seviljes dhe kaloi në verë tek Lacio.
“Faji është tërësisht i imi, ndonëse mjekët tek Betisi apo tek Danimarka e dinin të vërtetën, – thotë ai, – kam luajtur i dëmtuar në shpinë për shumë kohë, dhe nuk desha të ndaloja për t’u shëruar, por rrezikova”. Tashmë, ai po riaftësohet dhe do t’i duhet edhe një javë për të nisur vrapimin. “Nëse gjithçka do të shkojë siç duhet, nuk kam frikë të them se 2019-ta do të jetë viti im”, – premton Riza Dyrmishi.
Sfidanti.al