De Bruyne ndan mendjen për të ardhmen

Kevin De Bruyne ka qenë prej kohësh një nga mesfushorët më të mirë në botë, një arkitekt i lojës së Manchester City dhe një lider në fushë. Megjithatë, e ardhmja e tij ka qenë e pasigurt gjatë muajve të fundit, me spekulime të shumta që e lidhën me një transferim të bujshëm në Arabinë Saudite. Tashmë, duket se gjithçka ka ndryshuar, dhe belgu është më i prirur për të vazhduar karrierën e tij në Premier League sesa për të pranuar një aventurë të re në Lindjen e Mesme.

Me kontratën që i skadon në qershorin e vitit 2025 dhe me ofertat e majme nga klubet saudite, dukej se largimi i tij ishte një mundësi reale. Kjo do të kishte qenë një humbje e madhe për City, pasi mesfushori belg ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës së Pep Guardiolës, duke ndihmuar ekipin të fitojë tituj të shumtë në Angli dhe Europë. Megjithatë De Bruyne e ka ndryshuar qasjen e tij. Në vend që të ndjekë gjurmët e disa yjeve evropianë që u joshën nga milionat e Arabisë Saudite, ai ka vendosur të shqyrtojë mundësinë e rinovimit të kontratës me City. Kjo është një kthesë e papritur dhe një lajm i shkëlqyer për tifozët e “qytetarëve”, të cilët e shohin atë si një figurë të pazëvendësueshme në mesfushë.

Tani, vendimi është në duart e klubit. Një faktor i rëndësishëm që klubi duhet të marrë parasysh është mosha dhe historiku i tij i dëmtimeve. De Bruyne është 32 vjeç dhe ka vuajtur disa dëmtime serioze në vitet e fundit. Mesfushori ka treguar se mund të bëjë diferencën në ndeshjet e mëdha dhe se aftësitë e tij unike nuk mund të zëvendësohen lehtësisht. Prandaj, rinovimi i kontratës mund të jetë opsioni më i mirë për Sitin, sidomos duke pasur parasysh se Guardiola e vlerëson shumë kontributin e tij.

sfidanti.al