Trajneri i Kombëtares tonë, Xhani De Biazi, vazhdon një “trip” nëpër Itali, diku për të marrë leksione dhe diku tjetër për të bërë profesorin, por një gjë është e sigurtë, tekniku gjithmonë kërkon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave. Dje De Biazi ka qenë në qendrën stërvitore të Sampdorias, ku është takuar edhe me trajnerin Marko Xhampaolo, por këtë rradhë nuk është shfaqur aq prepotent sa në konferencat e shtypit të organizuara në Tiranë, ku ka dëshirë gjithmonë të replikojë me përbuzje, me këdo që ka rezerva për lojën e tij.
Në Itali është një Xhani ndryshe, që i njeh mjaft mirë kufinjtë e tij: “I kërkova Markos të më jepte mundësinë të ndiqja nga afër 3-4 seanca stërvitore të Sampdorias, sepse e konsideroj Xhampaolon një trajner shumë të aftë. Ai punon shumë mirë taktikisht dhe di sesi të komunikojë me futbollistët. Ka nga ato raste, kur futbolli është i çuditshëm dhe nuk të jep atë që meriton dhe kjo gjë ndodhi me Sampdorian, në sfidën ndaj Napolit, të cilën e humbi në mënyrë të pamerituar”.
Ndërkohë që flitet se De Biazi ka edhe një stacion tjetër, pas “leksioneve” në Xhenova. Trajneri do të udhëtojë për në Palermo, por qëllimi real i udhëtimit në ishull nuk është zbardhur ende. Për të parë nga afër ambjentin ku do të luajë Shqiëpria ndeshjen e rradhës, duket si mundim i ekzagjeruar. Ndërkohë që insinuatat janë për një takim me presidentin Maurizio Zamparini, i cili thuhet se e ka kërkuar për të shpëtuar Palermon nga rënia në Serinë B. Pra atje e kërkojnë për të bërë profesorin, ndërsa kur të kthehet në Tiranë do të fillojë të merret sërish me Hafizin.