“Bëmë baba të të ngjaj”, thotë populli, veçse ai nuk thotë “bëmë gjysh të të ngjaj”. Gjyshi nuk ka si ta bëjë nipin, dhe ndoshta për këtë shkak një nga pasardhësit e një legjende braziliane nuk mund të jetë në një klub të madh. Bëhet fjalë për nipin e yllit të madh të Brazilit të viteve 50-të e 60-të, Garrinçës, i cili është bashkuar me një skuadër modeste në Angli. Henke Johanson, kështu quhet nipi, ka firmosur kontratë me Brentfordin, klub të kategorisë së dytë angleze. Johanson është lidhur me një kontratë 2.5 vjeçare dhe vjen nga … Suedia.
Henke ndoshta edhe mund ta ketë talentin e gjyshit të tij të lavdishëm dhe kjo do të shihet kur të rritet edhe pak, sepse tani është vetëm 18 vjeç. Një nga drejtuesit e Brentfordit, Robert Bouen, theksoi se shpresat janë të mëdha që Johanson të bëhet një lojtar i madh dhe që klubi i tij të përfitojë në çdo drejtim. “Ai ka qenë dy vjet me ekipet kombëtare të Suedisë, po ashtu edhe në ligën suedeze, – tha ai, – na tërhoqi vëmendjen dhe e thirrëm për një provë. Stafi teknik mbeti i habitur prej tij”. Le të presim dhe të shohim. Garrinça, vetë, luajti 50 herë për Brazilin (jo pak në ato kohë), si dhe doli dy herë kampion i botës në 1958 dhe 1962. Sfidanti.al