Kush tha se kur je 30 vjeç nuk hyn më në punë? Ja ku kemi rastin e Tomas Mylerit, që rinovoi kontratën me Bajernin e Mynihut, deri në vitin 2023. Një përfundim i lumtur për klubin dhe futbollistin, me ceremoninë e nënshkrimit që respektoi distancimin shoqëror të kërkuar për t’u mbrojtur nga virusi. Sulmuesi rinovoi në prani të drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç, dhe shefit të ardhshëm ekzekutiv, Oliver Kahn.
“Prioriteti im numër 1 ishte që të rinovoja me Bajernin, – u shpreh Myleri, – dhe po ashtu ishte edhe për klubin. Plot dy të tretat e jetës sime i kam kaluar tek Bajerni, pra njeriu nuk mund ta quajë këtë klub thjesht si punëdhënës. Për mua, Bajerni është pjesë e jetës, është si një familje”.
Salihamixhiçi deklaroi se “jam shumë i lumtur që ishim në gjendje të binim dakord me Tomasin, ne e dimë se çfarë përfaqëson ai, po ashtu Tomasi e di se çfarë është Bajerni për të”. Salihamixhiçi shtoi se gjithçka u zgjidh siç duhet dhe se nuk pati nevojë për bisedime të gjata.
Tomas Myleri ka 20 vjet si lojtar i klubit bavarez, duke nisur me ekipet e fëmijëve, e duke mbërritur në skuadrën e parë në vitin 2008. Ai ka luajtur më shumë se 500 ndeshje me Bajernin e ka shënuar gati 200 gola, si dhe ka 38 rrjeta në 100 ndeshje për Gjermaninë. Drejtuesit bavarezë, ndërsa skuadra është kthyer edhe në stërvitje, kanë prioritet të rinovojnë kontratat me yjet e tjerë, dhe sidomos me kapitenin dhe portierin Manuel Nojer.
Sfidanti.al