Prezantimi më i fundit u krye, si gjithnjë shoqëruar me buzëqeshje në sipërfaqe, dhe meditime në brendësi të mendjes, por pati më shumë se kaq për Filip Kutinjon. Ylli brazilian u shfaq me fanelën e Bajernit, përpara emblemës së klubit gjerman, me dy gishtat e mëdhenj të duarve ngritur lart, ndërsa bavarezët e mbajtën gojën mbyllur për hollësitë financiare të transferimit.
Mundim i kotë, pasi gjithçka ishte një sekret i hapur. Atë që nuk deshën ta thonin në Mynih, e deklaruan në Barcelonë, në atë që u duk një mosmarrëveshje serioze mes dy gjigandëve europianë. Katalanasit sqaruan se huazimi i Kutinjos në Bundesligë u bë kundrejt një pagese prej 22 milionë eurosh, dhe një klauzole për blerje përfundimtare (nëse Bajerni do të bjerë dakord), me 125 milionë euro. Nga 22 milionë, 8.5 milionë ishte pagesa për Barçën, ndërsa pjesa tjetër ishte rroga e brazilianit.
Sfidanti.al