Klopi i lumtur me Liverpulin: Ekipi po mëson të fitojë trofe

Përpara sesa të kuqtë të triumfonin në finalen e Championsit në Madrid, vetëm një lojtar kishte provuar shijen e trofeut, Xhordan Hendersoni. Kapiteni kishte qenë pjesë e Liverpulit të vitit 2012, që mori Kupën e Ligës, një titull jo edhe aq madhështor në krahasim me ata që kërkon historia në “Anfild”.

Tashmë, Jurgen Klopi duket më i qetë dhe e thotë hapur një gjë të tillë. Pas fitores së Superkupës së Europës dhe suksesit të vuajtur 2-1 në fushën e Sauthemptonit, trajneri gjerman theksoi diçka me shumë rëndësi. “Nuk u habitëm që fituam diçka, por ende nuk jemi mësuar plotësisht me trofetë, ndaj prisja sesi do të reagonte ekipi në ndeshjen pasardhëse, – komentoi Klopi, – reagimi më pëlqeu, shkuam atje dhe luftuam për tri pikët, sikur ato të ishin tri pikët e fundit në Premier Ligë. Kjo sjellje dhe ky mentalitet na dha trofetë, dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”.

Tifozët shpresojnë që ky mentalitet gjithnjë e më i kalitur të bëjë që Liverpuli i Klopit të arrijë atë që nuk e bënë dot ekipet e kaluar të drejtuar nga Evans, Hulje, Benitez e Roxhers, pra të fitojë titullin në Angli.

Sfidanti.al