Ç’mund të bëjnë lojtarët kur nuk paguhen? Të “ngrijnë” në fushë!

Ndodhi në Meksikë, dhe duket se nuk ishte hera e parë. Skuadra Verakruz refuzoi të luante për 4 minuta e 20 sekonda, në ndeshjen në fushën e Tigresit, dhe kjo sepse lojtarët nuk kishin marrë rrogat, me disa prej tyre që kishin 6 muaj pa u paguar. Një histori e trishtë e një futbolli që nuk mban dot fjalën, ashtu siç ndodh shpesh në Shqipëri (ku lojtarët nuk protestojnë as në stërvitje).

Federata Meksikane konfirmoi se kishte marrë njoftim për grevën, ndërsa e keqja ishte se futbollistët e Tigresit, që gjithashtu ishin lajmëruar dhe kishin premtuar të mos luanin, e shkelën fjalën e dhënë duke realizuar dy gola. Pas 4’20” Verakruz nisi ndeshjen e vërtetë, të cilën e humbi 0-3.

Presidenti Fidel Kuri pranoi se lojtarët ishin në të drejtën e tyre, por shtoi se ata nuk e kishin diskutuar këtë problem me të dhe me drejtuesit. “U bëmë sërish gazi i Meksikës dhe gazi i botës me këtë çështje”. Futbollistët nuk deshën fare ta luanin ndeshjen, por vendosën të dilnin në fushë sepse Federata dhe Liga kërcënuan me zbritje nga kategoria.

Sfidanti.al