Çmenduria kineze, gjysmë milionë euro në javë rrogë për futbollistin!

Oskar do të bëhet lojtari më i paguar i botës kur ai të shkojë në Kinë në janar. Talenti i Çelsit, një futbollist shumë i mirë, por jo ndër më të mëdhenjtë, do të lerë pas gjithë të tjerët pasi do të marrë një rrogë prej 480 000 eurosh në javë, që do të thotë 25 milionë euro në vit, afërsisht. Një çmenduri e vërtetë në një vend ku bosët (normalisht sekretarët e Partisë) nuk dinë ku t’i çojnë paratë, dhe ku shteti po investon shumë sot, jo për të fituar sot, por për të dalë me fitim nesër. Diçka që mund të bëhet në Kinë, por që nuk duket shumë normale. Me këtë rrogë, Oskar, do të lerë pas dy yjet kryesorë të botës, Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin, që paguhen me diçka më shumë se 400 mijë euro në javë, ndërsa më pas vijnë Bejl, Hulk, Pogba, Nejmar, Runi apo Zllatan Ibrahimoviç.