Nëse shkëmbimi Lukaku-Dibala u quajt punë e mbaruar, bllokimi nuk ka ardhur vetëm nga argjentinasi. Natyrisht, ai është pengesa kryesore, por në këtë situatë të paqartë, kërkon sërish të “peshkojë” Interi, që e kishte humbur shpresën. Mediat në Angli dhe Itali njoftojnë se zikaltërit kanë rritur ofertën nga 55 milionë paundë stërlina (rreth 62 milionë euro) deri në 65 milionë paundë stërlina (rreth 72 milionë euro), plus shpërblime me klauzola. Ky çmim është ende poshtë vlerësimit të Mançester Junajtidit, prej 85-90 milionë eurosh, por është shtesë e ndjeshme.
Gjithsesi, Juvja mbetet në epërsi sepse i duhet thjesht të bindë Dibalën. Të hënën pritet takimi me Sarrin, ndërsa sulmuesi kërkon rrogë mbi 9 milionë paundë në sezon (Junajtid i jep 10). Kampionët e Italisë janë gati të shtojnë edhe Mario Manxhukiçin në marrëveshje, ose të zëvendësojnë argjentinasin me kroatin nënkampion të botës. Nëse “del huq”, Interi do t’i drejtohet Duvan Zapatës së Atalantës, veçse për momentin e quan të lartë kërkesën nga Bergamo prej mbi 60 milionë eurosh.
Sfidanti.al