Çfarë ndeshjeje paska parë Murinjo? “Napoli nuk e meritoi fitoren”!

Trajneri i Romës njihet si mjaft kokëfortë, dhe nga ata që është gati t’i bjerë murit me kokë, mjafton që të mos pranojë dështimin. Kështu duket se bëri pasi skuadra e tij u mund nga Napoli në Serinë A. Viktor Osimheni shënoi në 80’ për t’i dhënë jugorëve tri pikët në stadiumin “Olimpiko”, ndërsa mediat theksuan se skuadra e trajnerit Spaleti e meritoi. Nuk është ky mendimi i Zhoze Murinjos. “Arbitri Irrati nuk më pëlqeu, por nuk kam ndërmend që ta kritikoj, – tha ai, – Napoli fitoi pa e merituar”. Pyetja që të vjen ndërmend është se çfarë ndeshjeje ka parë Murinjo? Napoli pati 60 për qind zotërim topi, 9 gjuajtje drejt portës ndaj 3 të vendase dhe 5 në kuadrat ndaj 0 të të besuarve të portugezit!

Sfidanti.al