Çfarë finaleje në “Uembli”, Murinjo përballë Kontes

Dikur, në vitet 70-të e 80-të, kur ndonjë klub anglez dilte në finale të ndonjë kupe europiane, shumëkush i binte ballit me dorë dhe thoshte “obobo”. Sot, shumëkush i ra përsëri ballit me dorë lëshoi pasthirrmën e  shqetësuar sepse në finalen e Kupës së Anglisë u kualifikuan Çelsi e Mançester Junajtidi. Që do të thotë Antonio Konte përballë Zhoze Murinjos.

Nëse sot ka një rivalitet më të madh, më të ashpër dhe më armiqësor në botën e futbollit, është pikërisht ky mes këtyre dy burrave, njëri italian e tjetri portugez. Junajtid e siguroi finalen të shtunën, me një fitore të shkëlqyer ndaj Totenhemit me shifrat 2-1, ndërsa Çelsi u detyrua të priste të dielën për të triumfuar, po në “Uembli”, ndaj Sauthemptonit.

Goli i mrekullueshëm i Olivie Zhirusë dhe rrjeta e mëpasshme nga Alvaro Morata, bënë që Blutë e Londrës të kalonin me sukses një ndeshje të vështirë gjysmëfinale, dhe Çelsi të arrinte finalen e dytë radhazi. Kjo është shpresa e vetme për trofe për Konten, njeriun që vjet fitoi Premier Ligën, por edhe për Murinjon, që vjet fitoi Kupën e Ligës, Superkupën e Anglisë dhe Ligën e Europës.

Dy trajnerët janë sherrosur pa fund që nga tetori 2016, e deri në fillim të këtij viti, duke lëshuar batuta të ndryshme e duke krijuar një tension të jashtëzakonshëm, madje edhe kur kanë qenë përballë.

Duelet mes tyre kanë nisur që në 2009-2010 në Itali, kur Konte ishte në stolin e Atalantës dhe Murinjo në atë të Interit. Përballja mes tyre në Bergamo përfundoi 1-1, një rezultat i respektuar për Konten. Në Angli, italiani ka pasur bilanc paksa më të mirë, por gjithsesi ekuilibri duket se mbretëron. Të shohim sesi do të përfundojë finalja e Kupës në 19 maj në “Uembli”.

Sfidanti.al