Bylisi ka nisur ditët gjirokastrite nga dje, teksa skuadra nga Mallakastra do të luajë të shtunën me Ekipin e Janinës. Ekipi është akomoduar dhe ka dalë në fushën e stërvitjes, ndërsa ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se ballshiotët kanë zgjedhur një përgatitore ndryshe, në prag të sezonit të ri turistik. Bylisi ka qenë një nga skuadrat më aktive në merkato, teksa fill pas përfundimit të sezonit, nga ballshiotët u larguan afro 11- lojtarë, të cilët janë zëvendësuar dhe deri më tani, në Ballsh janë afruar futbollistë vendas si dhe nga Brazili. Skuadra është duke e plotësuar organikën dhe nga merkato nevojiten edhe 2-3 përforcime, të cilat do të konsolidojnë 11-shen bazë dhe sigurisht që do të sjellin edhe konkurrencë në grup. Bylisi në Superiore do të ketë si prioritet edhe elementin e ri të talentuar, duke iu dhënë hapësirë për t’i afirmuar dhe më pas shitur brenda dhe jashtë vendit. Kështu emra si Përndreca, Marku, Akibu, Buraneli do të jenë pjesë e skuadrës së parë edhe në fazën përgatitore. Ballshiotët do të qëndrojnë aty për afro 10-ditë në Gjirokastër. Kjo është hera e parë që Bylisi e zhvillon përgatitoren në qytetin e Gjirokastrës. Mallakastriotët kishin disa opsione, madje edhe Italinë dhe Greqinë. Pritet që deri në startin e sezonit, ballshiotët të zhvillojnë edhe 5 ndeshje testuese, për të kompozuar grupin e tyre. Me katër javë përgatitje në qytetin e tyre, ballshiotët përfunduan edhe fazën e parë seleksionuese, ku disa lojtarë produkt të moshave, apo të U-21, nuk janë kontingjent në fazë, pasi një pjesë janë larguar dhe një pjesë tjetër do të huazohen.
sfidanti.al