Bylis ende pa trajner, Mezani në pritje

Bylisi është në javën vendimtare, me mallakastriotët që pritet të zbresin së shpejti në fushë dhe të nisin përgatitjet për sezonin e ri. Nga diskutimet e deritanishme, pritet që të merret vendim për stafin por edhe datën e startit të stërvitores, ndërsa si fillim, në këto seanca mund të trajnojnë stafi i akademisë. Periudha e parë përgatitore, siç edhe është diskutuar mes krerëve të klubit, do të jetë një fazë testuese, për lojtarët që kalojnë nga moshat në ekipin e parë, apo dhe ata të U-21. Më shumë për të huajt dhe lojtarët që do të vijnë rishtaz për provë. E vetmja e veçantë në kampin ballshiot është festimi dhe urimi që ka marrë nga shokët portieri mallakastriot, Renato Beqaj, që ka mbushur 20 vjeç. Beqaj shihet si kandidat potencial për portën për sezonin e ardhshëm në Superiore, sepse eksperienca nuk i mungon, madje ka luajtur edhe vjet në Superiore, ndërsa ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave duke u grumbulluar edhe me U-21.

Bylisi ende nuk ka bërë divorc me trajnerin që mbylli sezonin e shkuar Gentian Mezani, ndonëse palët me mbylljen e kampionatit kanë qëndruar më së shumti në heshtje. Mezani bëri mirë dhe në fund objektivi mbijetesë u arrit. Kur bëhet fjalë për trajnerë, presidenti Besnik Kapllanaj ka surprizuar duke ua besuar ekipin më të mirëve, vendës por edhe të huaj të spikatur.

Ka pasur më së shumti largime dhe emra titullarësh, si: Batista, Ruçi e Ileski, lojtarë me eksperiencë dhe peshë tek Bylisi i sezonit të shkuar e që duhen zëvendësuar. Ndaj edhe në Ballsh kanë menduar që të bëjnë lëvizje të zgjuara, nuk duan që të nxitohen, sepse merkato shpesh nuk ofron atë që synon, ndërsa Bylisi ndryshe nga shumë skuadra të tjera, për efekt të kontratave afatgjata, e ka bazën e skuadrës.

Ndonëse ka ende shumë emra në tratativa për t’u shitur dhe, nëse kjo ndodh, ka anën pozitive, por edhe negative. Arkat mbushen dhe financat “shëndoshen” në klub, por kualiteti brenda gjirit të ekipit pakësohet.

sfidanti.al