Ç’paskan qenë këta yjet e futbollit? A e dinë këta se ekzistojnë ligje dhe taksa për t’u paguar? Duket se këtyre po u shkon shprehja “burgu është për burrat” dhe i fundit në listë është Samuel Eto. Edhe ky një ish-lojtar i Barcelonës, ndërsa nga klubi katalanas për pranga u bënë më herët Lionel Mesi me babanë, dhe ditën e djeshme Nejmar, po ashtu me babin. Sërish në Spanjë, janë kërkuar 6 vjet pas hekurave për sulmuesin nga Kameruni. Bëhet fjalë për shkelje të detyrimeve financiare në lidhje me të drejtat e imazhit në vitet 2006 deri në 2009, kur u largua nga Barcelona. Flitet për 3.9 milionë euro të papaguara, ndërsa “gjoba” e kërkuar nga prokuroria shkon në 18 milionë euro, pasi nga këto 14.3 milionë janë vetëm interesat. Gjithsesi, le të themi edhe për Etonë, atë që kemi thënë për Mesin dhe Nejmarin. Argjentinasi i shpëtoi burgut, pasi ligji kishte pasur “vrima”, braziliani vështirë se do të dënohet, dhe po ashtu edhe kamerunasi nuk ka pse shqetësohet kaq shumë.