Quhet Xho Pejn, luan për Barnetin, pra jo në Premier Ligë, dhe shënoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit. Pejn mori vrull dhe goditi portën gati nga 50 metra largësi dhe pati sukses. Gjuajtja e tij ishte e saktë, dhe portieri kundërshtar kishte dalë me pakujdesi nga porta. Pejn realizoi diçka që Dejvid Bekam e kishte bërë shumë vite më parë, por me gjuajtje nga loja, ndërsa në vitet 80-të mbahet mend goli i Shkëlqim Muçës në kampionatin shqiptar në derbin kundër Partizanit, si dhe një gol i Crvena Zvezdës në ish-Jugosllavi, në derbin e Beogradit ndaj Partizanit. Mediat britanike kanë thënë me shaka se Pejn meriton tani “kurorën” për goditjen e dënimit më të bukur duke lënë pas Bekamin, Pirlon apo Shabi Alonson. E vetmja fatkeqësi për të ishte se ndeshja e Kupës Rajonale ndaj Enfildit përfundoi me humbje.