Maksimumi i së keqes ishte menduar deri në fund të vitit, pra rreth një muaj e gjysmë. Jo, jo, duhet të përgatiten për më shumë Garet Bejli dhe Reali i Madridit. Uellsiani i shpejtë do të operohet për dëmtimin e pësuar në gjurin e djathtë, dhe do të jetë jashtë fushe për 4 muaj. Një humbje e madhe edhe për një klub si ai madrilen që ka shumë lojtarë në dispozicion dhe që mund të mbështetet tek disa nga emrat më të shquar të botës si Ronaldo, Benzema, Marselo, Modriç, Ramos apo Kros.
Trajneri Zidan ka qenë shumë fatkeq me dëmtimet këtë sezon, ndonëse paradoksalisht ekipi po ecën shumë mirë në Champions dhe në La Liga. Bejl do të mungojë jo vetëm “El Klasikon” në kampionat dhe ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Dortmundit, jo vetëm Kupën e Botës për klubet, por edhe takime të tjera në fazën e dytë të sezonit dhe mund të kthehet vetëm në prill. Ai është në dyshim edhe për ndeshjen e Uellsit në 24 mars për eleminatoret e Botërorit ndaj Irlandës.